Klodian Tomorri
Skema e mikrokredive në Shqipëri është shndërruar në një kënetë të qelbur, e cila josh viktima në spiralen e kredive grabitqare dhe pastaj përdor paratë e fituara për të joshur edhe më shumë viktima apo për të heshtur rregullatorët. Konsideroni vetëm një fakt.
Vitin e kaluar, IuteCredit Albania deklaroi në bilancin e saj zyrtar 8.2 milionë euro shpenzime për reklama si dhe marketing dhe konsulencë. Sipas pasqyrave financiare, kompania ka deklaruar përkatësisht 1 milionë euro si shpenzime për publicitet dhe reklama si dhe 7.2 milionë euro të tjera si shpenzime marketingu dhe konsulencë.
Sigurisht që një biznes është i lirë t’i shpenzojë si të dojë paratë e veta. Por kjo është një anomali e madhe financiare. Për të patur një ide se çfarë do të thotë kjo mjafton vetëm një fakt.
Vodafone dhe One Albania kanë një buxhet vjetor marketingu që luhatet nga 1.5 deri në 3 milionë euro në vit. IuteCredit deklaron shpenzime marketingu dhe publiciteti gati 3 herë më të larta se kompanitë celulare dhe 4 herë më shumë se fitimi i saj i deklaruar. Pyetja është a mund të jetë mikrokredi kjo?
Mikromjerim
Koncepti normal i mikrokredive është ai i kompanive financiare jo banka që japin kredi për shtresat të cilat nuk kanë aksesin apo garancitë e nevojshme për të marrë financime nga bankat. Në të gjithë botën, pjesa dërrmuese e skemave të mikrokredive kanë karakter social, për të ndihmuar shtresat më të marxhinalizuara të shoqërisë që të krijojnë biznese dhe punësim.
Pasi kredia kthehet ajo qarkullon për të financuar një subjekt tjetër e kështu me radhë për të nxjerrë sa më shumë njerëz nga varëfëria. Ndaj pjesa më e madhe e tyre funksionojnë në komunitetet rurale apo getot urbane.
Në Shqipëri, IuteCredit dhe Kredo Financë kanë me dhjetra degë brenda unazës së vogël të Tiranës. Në mes të qendrës më të urbanizuar dhe më të fuqishme ekonomikisht të vendit. A mund të vazhdojë Banka e Shqipërisë të fshihet më pas gishtit duke i klasifikuar këto kompani si mikrokredi, kur ato në vërtetë nuk janë të tilla?
Argumenti fals i tregut të lirë
Nën mbulesën e mikrokreditit në Shqipëri është krijuar një skemë e mirëfilltë zhvatje që funksionin si fajde e legalizuar me ligj, e cila ngarkon interesa deri në 120 për qind mbi kreditë që jep për qytetarët. Dhe ata që bien pre e tyre, janë shtresat më vulnerabël të shoqërisë apo njerëzit që nuk kanë njohuri financiare.
Përballe presioneve të forta nga shoqëria për t’u dhënë fund këtyre skemave, argumenti kryesor i avokatëve të grabiqarëve financiarë është ai i tregut të lirë. Përderisa për një shërbim të tillë ka kërkesë dhe çdo gjë zhvillohet brenda ligjeve, atëherë pse duhen të mbyllen këto skema. Ky në fakt edhe është argumenti që përdor Banka e Shqipërisë për të justifikuar mosndërhyrjen e saj kompromentuese.
Por pyetja është shumë e thjeshtë. Treg të lirë ka dhe për fajde. Përderisa ka njerëz apo biznese që shkojnë marrin para me fajde tek bandat apo kriminelët, kjo do të thotë se ekziston kërkesa edhe për këtë produkt. Atëherë a duhen legalizuar fajdetë e bandave?
Buxheti i joshjes apo…?
Për çfarë i një kompani mikrokredie 8.2 milionë euro në vit për reklama dhe konsulencë? Dy janë opsionet e përgjigjes së kësaj pyetje.
E para është që po zhvillon një fushatë agresive marketingu për të zgjeruar rrjetin dhe klientelën e saj. Pra po josh sa më shumë njerëz që të marrin borxhin e shtrenjtë që ajo ofron. Kjo mund të jetë ligjore, por a është e dëshirueshme për shoqërinë dhe interesin publik? Këtë përgjigje duhet ta japë Banka e Shqipërisë, që ka fshehur kokën si struci.
Opsioni i dytë është edhe më i lig. A mos vallë këto superbuxhete marketingu dhe konsulencë përdoren për të ndikuar median dhe vendimarrjen publike. Të parëve që të heshtin, ndërsa të dytëve që të mbyllin sytë dhe të mos veprojnë. Ne këtë nuk e dimë. Por dimë me siguri diçka tjetër. Tek ky bilanci këtu, Tatimet i kanë mbyllur sytë. Ndërsa Banka e Shqipërisë ka kohë që është qërruar.