2 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Tenderat e pistë të lavanderisë në QSUT, 10 milionë euro fitohen në kokë

Tenderi 10 milionë euro për shërbimin e lavanterisë në Qendrën Universitare Nënë Tereza vishet me dyshime të forta. Në procedurën marrëveshje kuadër, të zhvilluar nga Agjencia Shtetërore e Prokurimeve pati vetëm një ofertë, e cila ishte sa 99.9 për qind e fondit limit. Kjo ishte oferta e kompanisë AGS, që u shpall dhe fituese.

Më konkretisht, fondi limit për këtë tender ishte përcaktuar 1 miliardë e 84 milionë lekë për afatin e shërbimit 4 vjet. Oferta e AGS ishte 1 miliardë e 83 milionë lekë ose sa 99.9 për qind. Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqëndruara e shpalli ofertën e vetme fituese në tender.

Edhe pse ky ishte një tender me vlerë jashtëzakonisht të madhe, ASHPP kishte zgjedhur prokurimin me procedurë të kufizuar. Kjo është procedura, përmes së cilës çdo operator ekonomik mund të kërkojë të marrë pjesë, por vetëm operatorët ekonomikë të përzgjedhur nga autoriteti kontraktor mund të dorëzojnë oferta.
Sipas dokumentave të tenderit, Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqëndruara i ka dhënë të drejtë vetëm kompanisë AGS, që të ofertojë në këtë procedurë. Dhe kompania ka dhënë ofertë sa 99.9 për qind e fondit limit.

Njollat e lavanderisë
Tenderat për shërbimin e lavanderisë së spitaleve janë shoqëruar shpesh me dyshime dhe akuza për korrupsion. Kulmi u shënua në vitin 2015, kur tenderi, në atë kohë më vlerë 1.1 miliardë lekë u ankimua nga disa kompani njëherësh se kriteret e vendosura ishin qepur enkas për të favorizuar kompaninë AGS. Aksionierja e kësaj të fundit, Alma Tafani, i hodhi poshtë akuzat në një prononcim për BIRN duke i quajtur ato se sulme të motivuara nga konkurrenca.

Në tenderin me fond limit 1.1 miliardë lekë u paraqitën 6 oferta, ku më e ulëta ishte 478 milionë lekë nga bashkimi i operatorëve Ballkan Laundry Sh.p.k dhe Serv Hotel S.r.l. Kjo ofertë u skualifikua dhe tenderi iu dha një bashkimi tjetër operatorësh me ofertë 881 milionë lekë.

Por ky vlerësim u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik nga kompania AGS, e cila kishte dhënë ofertë me vlerë 1.0.7 miliardë lekë, në kokë të fondit limit. Pas ankesave dhe kundër ankesave, të gjitha ofertat u skualifikuan.

Fuqia e AGS
Pas dështimit të tenderit, për të mbuluar nevojat për shërbim lavanterie, gjatë periudhës Janar-Prill 2015, QSUT hapi një tender të dytë me “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit,” me vlerë 94.2 milion lek. Pas zhvillimit të tij me 2 kompani pjesëmarrëse, fitues u shpall firma A.G.S Sh.p.k.

Por Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaroi se përzgjedhja e A.G.S Sh,p,k, i shkaktoi taksapaguesve një dëm prej 10.8 milion lekësh dhe për këtë kallëzoi penalisht të gjithë anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave. Hetimet u pushuan.

Historia përsëritet
Historia e luftës për tenderin e shërbimit të lavanderisë në QSUT u përsërit në vitin 2019. Këtë herë autoriteti kontraktor nuk ishte me QSUT, por Agjencia e prokurimeve të Përqëndruara në varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Në tenderin me fond limit 1.11 miliardë lekë u paraqitën 3 oferta ku më e ulëta isshte ajo e bashkimit të operatorëve “Servizi Italia” Spa & “Sanitary Cleaning” sh.p.k. Por Agjencia e Prokurimeve të përqëndruara e skualifikoi ofertën më të ulët dhe shpalli fitues sërish kompaninë AGS, e cila kishte ofruar 1.1 miliardë lekë, gjithmonë në kokë të fondit limit.

Servizi Italia e ankimoi vlerësimin në KPP. Komisioni i Prokurimit i dha të drejtë kompanisë dhe urdhëroi Agjencinë e Blerjeve të Përqëndruara të ndryshonte fituesin duke shpallu kompaninë Servizi Italia. Për tenderin ka hetime të hapura në SPAK.

Tenderat e lavanderisë së spitaleve mbajnë erë të rëndë korrupsioni. Edhe pse deri më sot drejtësia nuk ka qenë e aftë të provojë asnjëherë abuzimet, ndërkohë që qytetarët shqiptarë paguajnë kostot e kripura në kokë të fondit limit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *